Në hulumtimin “Roli dhe angazhimi i rinisë në parandalimin e dhunës” i realizuar në kuadër të projektit “Equal Rights for All Coalition” që është implementuar nga “Youth Initiative for Human Rights – Kosovo”, dhe në bazë të raportit të vlerësimit mbi Programin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje, dhuna në familje është një nga format më të përhapura të dhunës ku në shumicën e rasteve fëmijët dhe gratë janë viktima të kësaj dhune.
Për të diskutuar për këtë temë, sot (13 gusht), në Parkun e qytetit, në Prishtinë, nga ora 11:00, do të mbahet një diskutim për rëndësinë e parandalimit të dhunës, gjendjen, rolin dhe angazhimin e të rinjve dhe të rejave në parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore në Kosovë, me hulumtuesen Mirishahe Syla.
Ky aktivitet bëhet në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” i cili implementohet nga Care International in Balkans në partneritet me SIT dhe YMCA në Kosovë të mbështetur nga Agjencioni Austriak për Bashkëpunim (ADA) dhe OAK Foundation.