Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” do të organizojë nesër (5 shtator) diskutimin e radhës në kuadër të programit “4AM Discussion”, ku i ftuar do të jetë muzikanti dhe kompozitori Liburn Jupolli, i cili ndër të tjerash do të flas për instrumentet, robotikën, realitetin virtual si dhe inteligjencën artificiale.
Organizatorët kanë bërë të ditur se diskutimi fokusohet mbi historinë, parimet e përgjithshme dhe zhvillimet e ardhshme në shpikjen e instrumenteve, duke përfshirë tradita të ndryshme në Evropë dhe në botë.
Theksi bie mbi 20 vite të zhvillimit në teknologjitë e reja dhe mënyrën se si ato kanë ndikuar jo vetëm në shpikjen e instrumenteve, por edhe në kompozimin, performancën muzikore dhe notacionin muzikor.
Liburn Jupolli është kompozitor, multi-instrumentist, inovator dhe prodhues, me më shumë se 20 vite përvojë.
Ai aktualisht punon si mësues, ndërsa ka shpikur 5 instrumente të reja si dhe ka kompozuar për 30 produksione të ndryshme në teatër, film, animacion, arte të bukura, lojëra, si dhe është themelues i dy asociacioneve edukative ndërdisiplinore. Ai mban rekordin për koncertin maratonë ku ka performuar për 13 orë e 32 minuta.
Programi i Project Space mbështetet nga Swiss Cooperation Office në Kosovë.