Eksplorimi i qasjes sonë ndaj identiteteve të shumta është tema e radhës që do të diskutohet në ngjarjen e organizuar nga Revista “Kosovo 2.0”. Ngjarja “Hajde Folim: Kosova e ndërthurur”, do të mbahet sot (04.02.20) nga ora 17:30 në hapësirat e “Hub 2.0”, ndërsa panelistë do të jenë: drejtori ekzekutiv në “CEL Kosovo”, Blert Morina, këshilltarja gjinore në Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, Mirishahe Syla, menaxherja e Programit në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Rita Selimi dhe koordinatorja e Projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës, Adelina Tërshani.
Radio KFOR-i ka kontaktuar menaxheren e Programit në ‘Kosovo 2.0’, Aulonë Kadriun, nga e cila mësoi për qëllimin e mbajtjes së këtij diskutimi: “Përmes këtij diskutimi dëshirojmë ta kthejmë vëmendjen tek ndërlidhja e identiteteve të shumta të cilave u përket një individ dhe çka është më e rëndësishmja tek dinamikat që krijohen kur një person u përket këtyre identiteteve. Derisa shpeshherë në Kosovë diskutimi bëhet për atë se çfarë do të thotë të jesh grua apo burrë, rrallherë diskutohet në nivel të asaj se si përjetohet të qenit grua kur i takon një komuniteti jo-shumicë, apo komuniteteve LBGTIQ+. Kosovo 2.0 synon ta sfidojë percpetimin që grupe të caktuara janë homogjene dhe të dekonstruktojë atë se si shoqëria pranon apo nuk pranon dikë për shkak të identiteteve të shumta të cilave një individ u përket.”
Pjesëmarrja në këtë diskutim është e hapur për të gjithë, ndërsa do të ketë përkthim në gjuhën angleze dhe serbe. Ngjarja realizohet me mbështetjen financiare nga ‘National Endowment for Democracy.