Procesi mësimor në Kosovë pas përhapjes së virusit ‘COVID-19’, po vazhdon të zhvillohet online për të gjitha nivelet e edukimit në vend. Megjithatë, shumë nxënës nuk kanë arritur të jenë pjesë e procesit mësimor për shkak të mungesës së pajisjeve për të ndjekur mësimin online. Për të diskutuar më shumë rreth kësaj teme, revista ‘Kosovo 2.0’ ka organizuar diskutimin online me temën ‘Hajde Folim: Të [mos] arsimohesh në pandemi’, që mbahet sot (16.06.20) nga ora 17:30, në platformën Zoom dhe do të transmetohet në Facebook në faqen e revistës në fjalë.
Për të mësuar se për çfarë do të diskutohet në këtë ngjarje, Radio KFOR-i kontaktoi koordinatorin e këtij projekti nga Kosovo 2.0, Lekë Berisha, i cili tha se procesi mësimor online nuk ishte gjithëpërfshirës: “Ky diskutim do të mbahet që të theksojmë rëndësinë e arsimit në kohë pandemie, mbarëvajtjen se si ka shkuar procesi dhe posaçërisht të theksojmë faktin që nuk janë përfshirë të gjithë fëmijët në këtë proces të arsimit online. Statistikat tregojnë që 10 % të fëmijëve në Kosovë, nuk kishin mundësi të marrin pjesë në mësim, veçanërisht të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali, e gjithashtu edhe fëmijët më aftësi të kufizuara të cilët kanë pasur mungesë të pajisjeve elementare si telefon, kompjuter, pastaj internet dhe hapësira të studimit”.
Për të diskutuar mbi këtë temë të ftuar do të jetë drejtori ekzekutiv i organizatës ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve’, Isak Skenderi, pastaj eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci dhe drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Donjeta Kelmendi.