Ngjarjet kulturore në gjithë botën që nga shfaqja e pandemisë kanë ndryshuar formatin e tyre, duke u përshtatur me normalitetin e ri. Me ndihmën e teknologjisë dhe internetit, shumë ngjarje kulturore kanë arritur të mbahen dhe të depërtojnë tek publiku edhe në këtë situatë. ‘Teatri Kombëtar i Kosovës’, ka filluar shfaqjet me publik por duke respektuar masat anti-covid. Në programin e muajit shkurt të këtij viti, ky teatër deri në fund të këtij muaji do të shfaq deri në 27 shfaqje. Disa nga shfaqjet që do të keni mundësi të ndiqni këtë muaj janë shfaqjet: ‘Pa Mua’ – me regji të Shkurte Aliu dhe Alban Beqiraj, ‘Arturo Ui’ – nën regjinë e Bekim Lumit. Po ashtu këtë muaj mund të ndiqni katër shfaqje të baletit: ‘Andrra’, ‘Exil’, ‘Sisters’ dhe ‘Pushimi i Kalorësve’.
Ndërsa, në Kino Armata në Prishtinë, po vazhdojnë të shfaqen filma në kuadër të festivalit ‘Entropy – Environmental’, festival ky i cili do të zgjasë deri me 10 shkurt, të këtij viti. Të gjithë personat që nuk kanë mundësi të shkojnë fizikisht për të ndjekur këta filma mund ti ndjekin ata pas shfaqjes në kinema, në platformën online, përmes vegzës: entropy.fondacionijeshil.org
Për të gjithë artdashësit edhe ‘Galeria e Arteve të Kosovës’, ka ofruar një mundësi unike për të përcjellë ekspozitat atje. Të gjithë personat tashmë mund të jenë brenda Galerisë së Arteve, në rahatinë e shtëpisë së tyre, sepse kjo galeri ka hapur ekspozitën e parë virutale ‘Koleksioni i Grafikës’, që është i hapur deri me 1 Mars të këtij viti. Ekspozitën në fjalë, mund ta ndiqni përmes vegzës në vijim: https://www.lapsi360.com/GrafikaGKK/.
Po ashtu, në kinematë e tjera vendore keni mundësi të ndiqni filma nga zhanre të ndryshme, që përfshijnë edhe filmat për fëmijë por gjithmonë duke respektuar masat anti-covid.