Kultivimi i leximit tek më të vegjlit tanë, është qëllimi që ka “Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë”, e cila kremtohet çdo 2 prill, kjo për nder të ditëlindjes së shkrimtarit të shquar danez për fëmijë, Hans Kristian Andersen. Në këtë ditë zhvillohen aktivitete të ndryshme, e një të tillë do ta ketë edhe Libraria “Dukagjini”, ku koordinatorja znj. Iliriana Hasaj, për Radio KFOR-in tha: “Për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë’, duke e ditur rëndësinë që ka kjo ditë, që sa më shumë ta promovojmë leximin dhe ta kultivojmë dëshirën për të lexuar tek fëmijët, duke u blerë libra atyre, ne kemi vendosur që nga të gjitha blerjet e librave për fëmijë, në këtë ditë t’i ndajmë 15% të fitimit, të cilat do t’i dhurojmë Shoqatës së Autizimit. Themi enkas për këtë shoqatë, për shkak se po kjo ditë, përkon edhe me “Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizimin” dhe mendojmë që është një zinxhir i duhur për këtë ditë, që edhe ne si librari, ta japim kontributin tonë në shënimin e këtyre ditëve.”
Ndryshe “Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë”, shënohet që nga viti 1967.