Dhuratat janë forma më e mirë e falënderimit, mirënjohjes dhe kujdesit ndaj dikujt. Në raste të shumta të gjithë ne ndihemi mirë kur familjarët, miqtë apo kolegët na nderojnë dhe falënderojnë në ndonjë formë përmes dhuratave apo thjeshtë një kartoline. Në prag të festave pas një viti shumë të rëndë për të gjithë, mendoni për më të dashurit tuaj për të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen ndaj tyre në çfarëdo forme.
Për dikë thjeshtë një telefonatë mund të simbolizojë shumë, për dikë një buzëqeshje apo falënderim për miqësinë apo ndihmën që ju ka bërë gjatë këtij viti. Kur të mendoni të bëni dhurata këtë vit, mendoni simbolikën dhe jo vlerën materiale, mundohuni të gjeni diçka domethënëse dhe që do të mendonit se do ta bënte të lumtur dikë. Një buqetë lule, një libër apo një dhuratë modeste mjafton për të treguar se sa të kujdesshëm dhe të dashur jeni për dikë.
Përveç tjerash, këtë vit festoni me zemër të bashkuar, me dashuri – por në distancë, për të mbrojtur vetën dhe të tjerët nga CoVid-19. Të jemi mirënjohës për të mirat, shëndetin, familjen dhe miqtë tanë.