Situata e krijuar nga ‘COVID – 19’, ka rezultuar në shumë aksione të ndërmarra nga e gjithë bota, duke filluar nga mbyllja e përkohshme e kufijve, ndalimi i zhvillimit të aktiviteteve të shumë bizneseve, e deri tek kufizimi i lëvizjes së lirë. Gjatë kësaj kohe kur gjithçka duket se ka ndaluar Radio KFOR-i po vazhdon të jetë afër të gjithë njerëzve në Kosovë. Sot do të kuptojmë se si po e kalojnë këtë sfidë edhe disa nga dëgjuesit tanë të rregullt, të cilat kanë edhe lutje për të gjithë!
– Magjistër i Kontabilitetit, Arbër Mehana, na tregon si po i kalon këto ditë: “Profili i punës që e bëj më mundëson që të jem aktiv edhe nga shtëpia, në zyrën time shkoj vetëm kur e kam të pamundur të finalizoj ndonjë projekt nga shtëpia, prandaj ju kisha sugjeruar të gjithëve që të rrini në shtëpi, sepse në këtë mënyrë e ndihmojmë njëri tjetrin dhe të dilni nga shtëpia vetëm kur është e domosdoshme.”
– Inxhinieri i Elektros, Valon Murati, gjithashtu ka disa porosi për të gjithë: “Unë kam përfunduar studimet vitin e kaluar, ndërsa në fillim të këtij viti u punësova, thënë të drejtën ka qenë e vështirë me e ndal punën, ende pa filluar e mirë, mirëpo kur e di që kështu e ruaj familjen time, kam ndjenjën që po bëj gjënë e duhur. Ju kisha lut të gjithëve që të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm edhe për pak kohë sepse edhe kësaj sfide po i vjen fundi.”
– Studente e Ekonomisë, Edona Behari, na jep ide se si të kalojmë kohën e lirë: “Kjo situatë duket sikur e ka ndalë botën, e me gjithë sfidat me të cilat përballemi nga kjo mund të nxjerrim edhe gjëra të mira. Mua më ka marr malli për shokët e shoqet por bashkë po komunikojmë përmes rrjeteve sociale Me thënë të drejtën më ka marr malli edhe me dëgju radion kur jam duke vozitur, por me raste po e heq këtë mall përmes aplikacionit të Radio KFOR-it. Ju sugjeroj edhe juve me qëndru brenda shtëpisë, e nëse ju duhet të dilni, merrni masat e duhura mbrojtëse para se me dal.”