Shpeshherë fëmijët mund të jenë një shembull i mirë edhe për të rriturit, falë magjisë që e kanë, si: sinqeritetin, dashurinë dhe ndjeshmërinë. Majda Shala, është vetëm 7 vjeçe, por me talentin e saj prej aktoreje dhe jo vetëm, na tregoi se edhe të vegjlit mund të kontribuojnë për një bashkëjetesë më të mirë për të gjithë.
Në fund të muajit prill, 2020, Majda së bashku me Helenan, Anastasian dhe Tiarën, ishin në shfaqjen multietnike, e emërtuar “..sepse dashuria shpëton botën”, nën udhëheqje të Dragana Botner, ku përmes vallëzimit dhe recitimit treguan se dashuria dhe sinqeriteti i fëmijëve mund të bëjë botën, me të vërtetë, një vend më të mirë për të gjithë.
Me këtë rast Radio KFOR-i intervistoi Majdan dhe Helenan. Gjatë bisedës Majda na tregoi se me shumë dashuri ka pranuar që të jetë pjesë e kësaj shfaqje dhe nuk hezitoi të jepte edhe një mesazh për fëmijët e gjeneratës së saj: “Bota është e fëmijëve, prandaj neve na takon që botës t’i ofrojmë dashuri, pa kushte, pa ndarje dhe pa urrejtje. Të gjitha këto gjëra mund t’i arrijmë duke mësuar dhe duke respektuar të tjerët, pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flasin.”
Me dashuri për aktrimin që e do aq shumë, ku madje edhe është shpërblyer, foli edhe Helena Popovic: “Aktrimi është argëtues, diçka interesante gjithmonë ndodh në prova dhe veçanërisht e dua atë sepse gjatë udhëtimit shoh vende të ndryshme dhe takoj njerëz të rinj.”
Gjuha e fëmijëve është loja, është vallëzimi është vet dashuria!