Festivali i përvitshëm i muzikës klasike DAM edhe këtë vit pritet të sjell koncerte dhe performanca nga muzikantë të dalluar nga e gjithë bota, megjithatë këtë vit për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19, festivali nuk do të mbahet këtë muaj, mirëpo është shtyrë për muajin nëntor.
Themeluesi i DAM Festival, Dardan Selimaj, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka dhënë detaje shtesë rreth organizimit të këtij festivali: “Për shkak të masave në fuqi, prej planifikimeve fillestare që DAM-i me fillu nga datat 11 deri më 14 tetor, tani është shtyrë për muajin nëntor, një mundësi tjetër për me qenë afër me publikun, në rast që masat në kohën e ri-planifikuar do të jenë përsëri në fuqi dhe e pamundësojnë prezencën fizike, atëherë festivali përfundimisht duhet të shkojë në formatin online. Datat që tashmë janë planifikuar që të mbahet festivali, janë nga 22 nëntor deri më 26 nëntor. Përndryshe me datën 14 të këtij muaji, do të mbahet perfomancë/ligjëratë me koncert-mjeshtrin e Filarmonisë së Vjenës, Fedor Rudin, ku të pranishëm do të jenë 20 persona. Me këtë koncert fillimisht është menduar të shënojmë 15 vjetorin e themelimit të Qendrës së Artit Muzikor DAM, që është edhe organizator i festivalit.”
DAM është një festival vjetor i muzikës klasike dhe bashkëkohore i cili mbledh muzikantë të rinj dhe të dalluar nga e gjithë bota që nga viti 2006, kur edhe është mbajtur për herë të parë.