Meqenëse gripi sezonal dhe ‘Covid-19’, janë infeksione virale që prekin sistemin e frymëmarrjes, simptomat e tyre mund të jenë të ngjashme. Në këtë situatë të krijuar, të gjithë njerëzit duhet të jenë maksimalisht të kujdesshëm, në mënyrë që ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë pandemike, me të cilën po përballet e gjitha bota.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në rajonin e Pejës, Adnora Nurboja, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka folur për sfidat të cilat na presin në këtë periudhë si dhe këshilloi të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it, se si të kujdesen: “Për neve si doktorë do të jetë shumë problem sepse do të na përzihen rastet e personave të dyshimtë me ‘Covid-19’ dhe ata me grip sezonal. Simptomat janë përafërsisht të njëjta, mirëpo virusi ‘Covid-19’, është virus shumë më agresiv dhe shpërndahet në mënyrë shumë më të shpejtë, ndërsa simptomat i ka të njëjta me ethe, temperaturë, kokë dhimbje, dhimbje të nyjave dhe lodhje, që janë të njëjta me virusin e gripit sezonal. Këshilla jonë kryesore në këtë kohë është preventiva, duke respektuar masat mbrojtëse dhe në rast se keni simptoma, të lajmëroheni tek mjeku familjar, në mënyrë që të reagohet me kohë dhe të gjithë personat mbi moshën 65 vjeçare është mirë të vaksinohen me vaksinën anti gripale, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike.”
Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, për Radio KFOR-in shpjegoi se si mund të rrjedhin gjërat me përzierjen e të viruseve: “Ne po futemi në sezonin e gripit sezonal apo epidemik, që normalisht do të kapë edhe Kosovën dhe shumë vende të tjera. Po ashtu, jemi në kohë pandemie nga ‘Covid-19’, që po manifestohet me valë të dytë të paraqitjes së rasteve të infeksioneve, në shumë vende të botës, prandaj të dyja epidemitë mund të rrezikojnë gjendjen shëndetësore të njerëzve. Të dy viruset dëmtojnë aparatin respirator dhe vetëm analizat mikrobiologjike dhe testet serologjike, janë ato që vërtetojnë, nëse jeni të prekur me ‘Covid-19’ apo me gripin sezonal. Prandaj pandemia ‘Covid-19’, duhet të përcillet me dinamizëm dhe kujdes më të madh, sepse ende jemi në situatë të rëndë, deri të zhvillohet vaksina ‘anti-covid’ apo derisa njerëzit të fitojnë imunitetin ndaj ‘Covid-19’.”
Mbrojtja e vetme për momentin nga viruset është respektimi i rekomandimeve të dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, e ato janë mbajtja e distancës fizike dhe mbajtja e maskave!