Se arti i thyen të gjitha barrierat, po dëshmohet edhe njëherë me ekspozitën ‘Common Space’ e cila nesër, më 30 janar zbarkon në Prishtinë, me artistë të shtumtë që vijnë nga shumë vende si Serbia, Kosova, Sllovenia, Britania e Madhe, Maqedonia e Veriut, Bosnia dhe Hercegovina etj., “Common Space” është projekt i cili ka lindur gjatë kolonisë Galichnik të mbajur në gusht 2017,në Maqedoni të Veriut, për të vazhduar në Sarajevë dhe tani për t’u stacionuar në Prishtinë.
Artisti Fidan Bejtullahu, që është bartës i këtij projekti, në një intervistë për Radio KFOR-in tha se ekspozita ‘Common Space’ është një emërues i përbashkët për hapësirën e përbashkët fizike e mendore të të gjithë artistëve pjesëmarrës dhe më tej shtoi: “Ideja ka qenë që prej këtij projekti të rritet kultura, konkretisht aktivitetet kulturore në Prishtinë e që gjithashtu kjo ekspozitë është një thirrje e hapur për artistët lokalë dhe një mundësi që po ju ofrohet atyre për të bashkëpunua me artistë ndërkombëtarë. Ky projekt ka për qëllim krijimin e një identifikimi për fushën e artit bashkëkohorë në Prishtinë. Ideja është që këtë projekt me lëvizë pas Prishtinës edhe në qytetet të ndryshme si në Beograd, Belgjikë apo në ndonjë vend tjetër.”
Bejtullahu ndër të tjera tha se të pranishmit edhe do të kenë mundësi të shohin nga afër ekspericën e jetesës, bashkëpunimit dhe menaxhimit të një manifestimi artistik, si ‘Kolonia e Artit Galichnik’, e cila do të shfaqë 30 botime vjetore këtë vit. Ekspozita do të hapet nga ora 19:00, në Galerinë e Fakultetit të Arteve.