‘Dita Botërore e Shëndetit’ shënohet çdo vit në mbarë botën më 7 prill. Vendimi për të shënuar këtë ditë si ‘Ditën Botërore të Shëndetit’, u miratua në asamblenë e parë të kësaj organizate, mbajtur në Gjenevë më 1948. Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe institucione relevante të shëndetësisë organizojnë ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, rajonale dhe lokale duke përfshirë ligjërata, ndarjen e materialeve promovuese, fushata mediale si dhe bëjnë edukimin e punonjësve mjekësor.
Mesazhi i ‘Ditës Botërore të Shëndetit’, për këtë ditë është i thjeshtë: “T’u japësh njerëzve akses në kujdesin shëndetësor pa vështirësi financiare, pavarësisht ku janë ata, në Afrikë, Azi, Amerikën e Jugut ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që ka rëndësi për grupin i cili qëndron pas OBSH-së, është “Shëndeti për të gjithë”.
Një proverb kinez thotë: “Nëse nuk keni kohë të mjaftueshme për shëndetin tuaj, më vonë do të duhet të merrni më shumë kohë dhe para për sëmundjen tuaj”. Prandaj, kujdesuni për shëndetin tuaj çdo ditë.