Çdo vit, të premten e parë të muajit tetor shënohet ‘Dita Botërore e Buzëqeshjes’, në të cilën kërkohet nga njerëzit në gjithë botën që të bëjnë një akt mirësie dhe ta bëjnë dikë të qesh.
Një ambient miqësor, në të cilin dita nis me buzëqeshje e ngrohtësi është ai i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, në të cilin me vite janë bashkuar të rinj e të reja nga komunitete të ndryshme, për të avokuar në lidhje me çështje mjedisore në vend. Andaj, në këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi Sherife Shabanin, nga kjo Organizatë, e cila përçoi një mesazh në lidhje me rëndësinë e buzëqeshjes, pikërisht në ‘Ditën Botërore’ të saj: “Në momentin kur hyn në zyrë dhe kolegët e punës të presin dhe të përshëndesin me një buzëqeshje, përçohet një lloj energjie pozitive, e cila pastaj ty ta nisë ditën për së mbari dhe të bën që të qëndrosh më pozitive, të jesh me produktive dhe të kalosh një ditë të mirë pune. Të paktën kështu ndikon buzëqeshja tek unë në ambientin tim të punës. Prandaj edhe vetë mundohem që të njëjtën energji ta përcjell edhe te kolegët e mi të punës – duke buzëqeshur!”.
‘Dita Botërore e Buzëqeshjes’ për herë të parë u festua në vitin 1999, nga artisti tregtar nga Amerika, Harvey Ball. Andaj, artikullin kushtuar kësaj dite do ta përmbyllim me një thënie të Çarli Çaplin, sipas të cilit “Një ditë pa buzëqeshje, është një ditë e humbur kot”.