Nuk thuhet kot që buzëqeshja të zgjatë jetën, të freskon shpirtin dhe të mbanë larg brengave, me të cilat jeta të sfidon çdo ditë, përkufizimin e të cilës më së miri e ka bërë Çarli Çaplin, i cili thoshte “Një ditë pa buzëqeshje është një ditë e humbur kot”.
Pikërisht sot, (4 tetor) shënohet Dita Botërore e buzëqeshjes, e cila festohet të premten e parë të muajit tetor të çdo viti, e cila fillimisht u festua në vitin 1999 nga artisti tregtar nga Amerika, Harvey Ball.
Sa rëndësi ka buzëqeshja në jetën e njeriut , na tregojnë edhe disa prej dëgjuesve të Radio KFOR-it:
“Bazuar në përvojën time jetësore, mund të them lirisht që të buzëqeshurit më ka ndihmuar që të tejkaloj shumë sfida e probleme në jetë, kështu që do t‘i rekomandoja të gjithëve që të përdorin këtë mjet, i cili kushton shumë lirë”, thotë Blerta Salihu, përderisa mendim të ngjashëm me të, ka edhe dëgjuesi tjetër, Lulzim Gashi:
“Aspak nuk sforcohem që të përdorë buzëqeshjen, sepse atë e kam me vete kudo, gjithmonë, edhe atëherë kur mund të jem nervoz, edhe atëherë kur punët nuk më shkojnë siç i planifikoj. Me sportivitet e buzëqeshje në fytyrë i kaloj të gjitha.”
Kujtojmë që qëllimi i shënimit të ditës së buzëqeshjes është frymëzimi i botës për të kryer sa më shumë vepra pozitive në familje, shoqëri e komunitet në përgjithësi, duke mos e harruar për asnjë moment të buzëqeshurit në fytyrë.