Bullizmi është një dukuri e përhapur globalisht, kryesisht nga fëmijët dhe adoleshentët sidomos në dekadat e fundit. Ngacmimet fizike, verbale apo online, dëmtojnë personat të cilët bullizohen apo ngacmohen por edhe ata të cilët janë dëshmitarë të ngjarjeve të tilla. Bullizmi lidhet me shumë rezultate negative, që përfshijnë ndikim në shëndetin mendor, përdorim të substancave narkotike dhe madje edhe vetëvrasje.
Për arsyet e lartcekura, është shumë e rëndësishme që të bisedoni me fëmijët dhe të siguroheni që ata nuk janë viktima apo ngacmues të personave të tjerë.
Rreth kësaj dukurie morëm një mendim nga psikologu Dorjan Krasniqi, i cili tha se edukimi i fëmijëve është shumë i rëndësishëm rreth këtij fenomeni: “Bullizmi ekziston në të gjitha moshat dhe shtresat e shoqërisë, mirëpo më të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni negativ janë fëmijët, sidomos kur ata janë në zhvillim. Personat që kryesisht bullizojnë të tjerët, janë kryesisht paragjykues. Pra ideja e bullizmit është që tjetri të lëndohet fizikisht ose në mënyrë psikike. Parandalimi i problemit është përherë më i efektshëm sesa trajtimi i tij, andaj një edukim i moshave të reja sa i përket efekteve të bullizmit në shoqëri do të ishte shumë i mirëpritur.”
Sipas një hulumtimi të kryer nga ‘Instituti Pedagogjik i Kosovës’, në vitin 2015 që ka përfshirë 380 nxënës dhe 138 mësimdhënës të shkollave të mesme, tregon se 50% e nxënësve të anketuar, kanë deklaruar se janë thirrur me emra fyes dhe përqeshur nga të tjerët në baza ditore, javore, mujore apo vjetore, ndërsa 27% prej të anketuarve kanë deklaruar të jenë shtyrë dhe penguar fizikisht së paku një apo dy herë në vit.