Bashkë me zhvillimin e teknologjik, kjo fushë ka prodhuar edhe efekte negative. Është ‘bullizmi kibernetik’, që çdo ditë e më shumë po ‘alarmon’ ekspertët kibernetikë që trajtojnë dhe studiojnë tema, se si ta zhdukim këtë dukuri që padyshim është në rritje dhe që rrezikon më së shumti fëmijët.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, në një intervistë për Radio KFOR-in ka thënë që për të ju qasur kësaj problematike duhet të bëjmë një ndarje të grup moshave të fëmijëve: “Ndalimi i përdorimit të internetit të teknologjisë informative është një tentativë e Bashkimit Evropian, si masë mbrojtëse për fëmijët, realisht unë nuk e përkrah këtë ide dhe mendoj që është e gabuar, përkundrazi do të ofronte mundësi ose tentativë që fëmijët t’i qasen internetit pa lejen e prindërve ose larg syve të tyre. Fëmijët duhet të ndahen në 3 grup-mosha të rëndësishme: fëmijët deri në moshën 3 vjeçare; që është mosha më kritike dhe nuk preferohet fare që fëmijët të kenë qasje në internet. Ne kemi parë që është një tentativë në rritje e prindërve që fëmijëve t’u lejojnë që të mbajnë në duar një pajisje teknologjike. Mendoj unë, por edhe studimet nuk rekomandojnë që fëmijët të kenë qasje në pajise të teknologjisë informative në këtë moshë. Fëmijët e moshës 3 deri në 13 vjeç, është grup-mosha e dytë ku realisht studimet në të kaluarën kanë treguar që kjo grup-moshë kalon mbi 4 orë në ditë në internet, diku 9 nga 10 fëmijë të kësaj moshe kanë qasje në pajisje të teknologjisë, në prani të prindit ose edhe kanë pajisje të tyre. Kjo tregon për një qasje jashtëzakonisht të madhe të kësaj grup-moshe në pajisje të teknologjisë në internet dhe rrjete sociale dhe mundësia e qasjes tregon edhe ekspozimin e madh. Sfidat kibernetike që i kanë shfrytëzuesit e internetit në Kosovë, në krahasim me shfrytëzuesit e BE-së ose SHBA-së janë të ndryshme. Fëmijët tanë janë më të rrezikuar dhe më të ekspozuar për shembull në SHBA dhe në BE mund të shkarkohen YouTube for Kids apo The Messenger for Kids, që janë të dedikuara për mosha të tilla, ndërsa tek ne nuk mund të shkarkohen këto aplikacione. Fëmijët mbi moshën 13 vjeçare – fëmijët e rritur, janë një botë tjetër. Në këtë moshë ata konsiderojnë veten të rritur dhe kjo edhe për shkak të ndikimit të hormoneve dhe këtu është rreziku më i madh për shkak se fëmijët marrin pjesë dhe janë shumë aktiv në rrjetet sociale , thyejnë barrierat kufitare dhe flasin me të gjithë botën dhe njerëz nga më të ndryshmit.”
Z. Hoxhaj, tha gjithashtu se çelësi i suksesit në mënyrë që fëmija juaj të mos jetë pre e bullizmit kibernetik dhe rreziqeve të tjera kibernetike, është komunikimi i mirëfilltë prindër-fëmijë: “Një bashkëbisedim dhe komunikim është çelësi, kjo vlen jo vetëm për prindërit por edhe edukatorët, ata duhet të dinë grup moshën me të cilën janë duke komunikuar, cilat janë hapësirat kibernetike ku ata janë më shumë aktivë, kush janë inspirimi i tyre, cilët blogerë, youtuberë, etj. apo cila është qasja e këtyre të fundit tek fëmijët, marr parasysh ndikimin e madh që kanë ata. Duhet gjithashtu të shfrytëzohen aplikacione të veçanta për moshën e fëmijës. Është esenciale që fëmijët të kenë një formë të komunikimit, jo të kontrollit, pasi duket të kemi parasysh që fëmijët tanë pothuajse pjesën dërrmuese nuk janë me prindërit, të cilët janë në punë dhe nëse mendohet që prindërit të kenë kontroll mbi ta, kjo do të sillte e efekte negative, andaj komunikimi është çelësi që fëmijët të mos bien pre e bullzimit dhe të mos i ekspozohen rreziqeve të shumta të fushës së kibernetikës.”