Pandemia Covid-19 ka prekur pothuajse të gjithë fushat e jetës, duke ndryshuar mënyrën tonë të jetesës dhe duke krijuar probleme të theksuara edhe në ekonomitë familjare në gjithë botën. Pandemia e shkaktuar nga virusi në fjalë, ndikoi edhe në prishjen e zinxhirit furnizues me produkte ushqimore. Kështu kuptuam edhe nga pronari i rrjetit të dyqaneve ushqimore ‘Tregu Group’, Ragip Millaku, i cili në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi rreth sfidave me të cilat janë përballur gjatë kësaj kohe: “Gjatë kohës së pandemisë, sikur në gjithë botën edhe tek ne, kjo periudhë ka pasur efekt negativ, për arsye se njerëzit kanë qenë më të rezervuar dhe kanë frekuentuar më pak marketet apo vendet e tjera. Në fillim të pandemisë kemi pasur rritje të shitjeve, pastaj ka pas rënie, por që nuk ka qenë situata vazhdimisht e njëjtë. Prodhimtaria, sidomos e pemëve dhe perimeve nuk ka pasur ndonjë ndryshim por gjatë kësaj kohe çmimet dhe produktet kanë ndryshuar varësisht nga sezona, duke pasur mungesë të blerjes dhe kjo ka ndikuar direkt tek prodhuesit që të mos ketë shitje. Prandaj, kjo situatë ka qenë e vështirë edhe për prodhuesit që merren me agrikulture.”
Situata me COVID-19 ka rritur mungesën globale të ushqimit. Si rezultat, në gjithë botën ka pasur një rritje prej 30% në çmimet e produkteve ushqimore, që nga fillimi i vitit 2020.