Dita e sotme e njohur ndryshe edhe si ‘Dita e Vesak-ut’, është më e shenjta për budistët kudo në botë. Rreth 500 milionë njerëz që i takojnë këtij besimi, e shënojnë këtë ditë në hënën e plotë të muajit maj, pasi që Vesak-u është i bazuar në kalendarin hënor aziatik dhe nuk ka një datë të saktë, ndër vite.
Autorja e shumë librave mbi dashurinë, lumturinë dhe shërimin e vetes, Vjollca Sadiku, për Radio KFOR-in ka treguar për rëndësinë e kësaj dite: “Për mua personalisht shënimi i ditës së Vesak-ut, është shumë i rëndësishëm, sepse sapo mendoj për Budën, më jep një ndjenjë hyjnore, qetësie dhe më dërgon në frekuencën e krijuesit. Të gjithëve do ju rekomandoja të lexojnë dhe të ri-lexojnë thëniet e tij dhe të qëndrojnë në energjinë e tij, që të njohin kuptimin e jetës dhe të vërtetën e dashurisë.”
Kjo festë është e njohur nga të gjithë njerëzit e besimit budist, por mënyra e shënimit të saj dallon nga vendi në vend, ku dekorimi i tempujve, veprat e mira, bamirësia dhe meditimi, janë vetëm disa nga mënyrat se si mund të shënohet kjo ditë.