‘Shoqata e Botuesve të Kosovës’ po e organizojnë panairin e 21-të librit në Prishtinë, që do të filloj me 5 qershor dhe përfundon më 9 qershor. Organizatorët theksojnë se janë gati për panairin, mirëpo për Radio KFOR-in këtë e konfirmoi edhe kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, që e organizon këtë panair dhe ai shpalosi detaje të organizimit të sivjtemë:
“Jemi në fazën finale të përgatitjeve për panairin. Gjithçka është duke shkuar siç duhet në aspektin përgatitor. Madje, si çdo vit, kemi kërkesa shumë më shumë seç kemi hapësirë dhe kjo tregon që botuesit janë të stërkënaqur me ecurinë e panairit”, tha Zeneli.
Ndërsa, për risinë e këtij viti, ai thotë se ka shumë tituj të ri që do të paraqiten para lexuesve në Prishtinë, mirëpo do të ketë edhe mysafirë të shumtë: “Vlugu i botimeve të reja, sidomos i botimeve që dalin enkas për panair, sa shkon e rritet çdo vit dhe kjo përbën kryelajm për lexuesin. Do t’i kemi pjesë të panairit dhjetëra shkrimtarë, studiues shqiptar në promovimet përkatëse dhe të ftuar nderi shkrimtarin Juan Asensio nga Franca”, shtoi Zeneli.
Panairi do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 20:00 dhe aty botuesit do të sjellin prej 1.500 deri në 1.700 tituj të rinj, ndërsa do të jenë edhe rreth 5.500 tituj të viteve të fundit.