‘Dita Botërore e Fëmijëve’ filloi të shënohet për herë të parë nga ‘Kombet e Bashkuara’ në vitin 1954 dhe qysh atëherë, kjo ditë festohet çdo vit për të promovuar bashkëjetesën ndërkombëtare, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve. Edhe në Kosovë për nder të kësaj ditë ‘Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian’ dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë, duke filluar nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë kanë organizuar një diskutim për të drejtat e fëmijëve.
Të ftuar për të diskutuar për të drejtat e fëmijëve janë Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, të cilët do të bashkëbisedojnë me nxënës të shkollave në Prishtinë për të drejtat e tyre.
Sipas raportit të vitit 2017 nga organizata ‘UNICEF’, në botë aktualisht ka 387 million, apo 19.5% fëmijë të cilët jetojnë në varfëri të skajshme. Sipas këtij raporti 15% e fëmijëve të botës janë detyruar të punojnë duke u shkelur e drejta e tyre për të mësuar dhe luajtur, ndërkaq 11% prej tyre janë të detyruar të martohen, para se të mbushin 15 vjet.