Nuk ka asgjë më të bukur në botë se tingulli i këngës që ju preferoni, pasi muzika është jo vetëm fjalë, ajo është shënim, këngë e melodi që shpreh çdo emocion, e madje studimet e reja thonë që muzika largon edhe depresionin. Për të shënuar e rikujtuar rëndësinë e kësaj dite, çdo 21 qershor, shënohet ‘Dita Botërore e Muzikës’, në mbarë globin. Kjo ditë njihet edhe si “Fete de la Musique”, pas një festivali muzikor që filloi në Francë në vitin 1982, ku thuhet se ministri francez i kulturës, Jack Lang, e ka konceptuar idenë e 21 qershorit, që gërsheton bashkë, jo vetëm ‘Ditën Botërore të Muzikës’, mirëpo edhe me ‘Ditën Ndërkombëtare të Yoga-s’ dhe ‘Ditën Ndërkombëtare te Qëllimit’. Janë Kombet e Bashkuara, që me 31 dhjetor të vitit 2014, shpallën datën 21 Qershor ‘Ditë Ndërkombëtare të Yoga-s’.
“Yoga mishëron unitetin e mendjes dhe trupit, është mendim dhe veprim; kufizim dhe përmbushje; harmoni mes njeriut dhe natyrës; një qasje holistike për shëndetin dhe mirëqenien. Duke ndryshuar mënyrën e jetesës tonë dhe duke krijuar ndërgjegje, kjo mund të na ndihmojë të merremi me ndryshimet klimatike“, kishte thënë ndër të tjera Narendra Modi, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rastin e shpalljes së 21 qershorit si ‘Ditë Ndërkombëtare të Yoga-s’.
Ndërsa, për të realizuar muzikë, yoga dhe gjithçka tjetër në jetë, duhet edhe një qëllim. Edhe ‘Dita Ndërkombëtare e Qëllimit’, lindi e u krijua për t’ju dhënë frymëzim, aftësi, mundësi, burime dhe lidhje kuptimplota, për t’ju ndihmuar të jetoni me qëllim, për të inkurajuar njerëzit që të reflektojnë, krijojnë, kuptojnë dhe shërbejnë për qëllimin e tyre. Kur një person cakton qëllimin e tij, ai si një qiri rri i ndezur dhe ka fuqinë për t’i ndriçuar të tjerët.