Gjumi i mirë, nënkupton shëndet të mirë dhe lumturi, andaj me qëllim të vetëdijësimit të botës, për rëndësinë që ka gjumi, 15 marsi, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Botërore të Gjumit‘. Specialisti i Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli, për Radio KFOR-in tregon për rëndësinë jetike që ka gjumi:
“Gjumi është një prej proceseve vitale për organizmin, ngase ka efekt të drejtpërdrejtë në relaksimin dhe qetësimin e organizmit në aspektin psikologjik dhe fiziologjik. Gjumi i mirë, konkretisht gjumi i mjaftueshëm ka një efekt të drejpërdrejtë në gjendjen mendore të njeriut, që do të thotë se një person që ka bërë një gjumë të mirë e të mjaftueshëm, atëherë ai do të përjetojë një gjendje më të mirë të disponimit, koncentrim më të mirë në aktivitete dhe do të jetë më i motivuar për punë. Derisa gjumi jo i mirë, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e ankthit tek individi dhe rritjen e simptomave të depresionit”.
Z. Zabeli përmes valëve të Radio KFOR-it bëri apel tek të gjithë, që të mundohemi të kemi një gjumë më kualitativ, duke ju shmangur leximit të infomacionve shqetësuese para gjumit, të mos mbajmë pajisje teknologjike në dhomën e gjumit apo pajisje që krijojnë zhurmë, mirëpo për një gjumë më cilësor të lexojmë libra para gjumit dhe të mundohemi të përmbushim orarin prej 8 orësh gjumë.