Pa shëndet të mirë mendor nuk mund të kemi as shëndet të mirë fizik, e pikërisht sot (10.10.21), i tërë globi i kushton vëmendje rëndësisë që ka shëndeti mendor, duke shënuar ‘Ditën Botërore të Shëndetit Mendor’. Shënimi i kësaj date, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për çështjet e shëndetit mendor dhe mobilizimin e përpjekjeve në mbështetje të tij.
Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i ka marrë një mendim profesional nga Dr. Arbërore Ulaj, njëherit dhe psikiatre për fëmijë, e cila mes tjerash pohoi: “Pa shëndet të mirë mendor, njeriu e ka të vështirë të funksionoj siç duhet, si në shkollë, punë, aktivitete fizike apo në shoqëri. Shumica e personave që kanë probleme të shëndetit mendor, nuk kërkojnë ndihmë për shkak të stigmatizimit që ju bëhet, andaj është shumë e rëndësishme që këta persona të përkrahen nga familja, shkolla, komuniteti, të mos paragjykohen por të inkurajohen të kërkojnë ndihmë sa më parë tek profesionisti.”
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mijëra njerëz me probleme mendore në gjithë botën, janë të privuar nga të drejtat e tyre njerëzore. Ka njerëz që fatkeqësisht përjetojnë abuzim ose dhunë, të cilat rrisin stresin dhe mundësinë e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor. E gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme lidhur me nevojën e sigurimit të mbështetjes së duhur, kur njerëzit përjetojnë stresin për shkak të ngjarjeve traumatike.