Çdo vit me 27 janar, UNESCO dhe organizata të tjera, rikujtojnë viktimat e Holokaustit, gjenocidit të luftës së dytë botërore, ku ritheksohet angazhimi dhe luftimi ndaj racizmit dhe formave të tjera të dhunës ndaj njerëzimit.
Në këtë ditë përkujtimore, ku humbën jetën rreth gjashtë milion njerëz, Kombet e Bashkuara nxisin çdo shtet anëtar të tyre, që të nderojnë dhe të zhvillojnë programe arsimore për të ndihmuar në parandalimin e gjenocideve në të ardhmen.
Këtë vit për herë të parë, Kombet e Bashkuara dhe UNESCO do të organizojnë së bashku një sërë ngjarjesh, në partneritet me ‘Aleancën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit’, për të shënuar 76 vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit në Auschwitz. Për shkak të kufizimeve të vendosura nga pandemia COVID-19 dhe për të arritur audiencë globale, ngjarjet do të zhvillohen krejtësisht online. Ngjarjet do të përfshijnë një ceremoni përkujtimore dhe një panel diskutimi mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit dhe një ekspozitë për të rikujtuar viktimat nga kjo ngjarje.