Vala e dytë e pandemisë ‘CoViD-19’, tanimë ka përfshirë gjithë botën, ku edhe vendet më të zhvilluara po shënojnë numra rekord të rasteve pozitive me ‘CoViD-19’, që nga shpallja e pandemisë.
Në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bëhet e ditur se numri i të prekurve me koronavirus në botë, tanimë ka arritur në 54.558.120 persona, me gjithsej 1.320.148 raste të vdekjeve. Numri më i lartë i të infektuarve është shënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – gjithsej 10.933918, me mbi 244 mijë të vdekur deri më tani. Vendin e dytë në botë me numrin më të lartë të të infektuarve e zë India me 8.874.290, me mbi 130 mijë të vdekur deri më tani. Ndërsa, i treti në listën e OBSH-së ndodhet Brazili, me 5.863.093 të infektuar dhe mbi 165 mijë të vdekur. Në mesin e vendeve me numrin më të lartë të të infektuarve dhe të vdekurve nga ‘CoViD-19’, bëjnë pjesë edhe shtetet evropiane, si Franca, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Polonia.
Javëve të fundit, situata me ‘CoViD-19’ është rënduar edhe në Kosovë, ku janë shënuar shifra rekord të të infektuarve, derisa numri i viktimave ka kaluar shifrën 830 persona. Nga Zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), në një prononcim për Radio KFOR-in, bëhet e ditur se më 17 nëntor, 2020, numri i rasteve të spitalizuara, të konfirmuara me ‘CoViD-19’, ka arritur në 547 pacientë. Sipas raportit që i është dërguar Radio KFOR-it, numri më i madh i pacientëve që po marrin trajtim ndodhet në Klinikën Infektive – 107 gjithsej, pasuar nga Spitali ‘COVID 3’, ku po marrin trajtim 52 pacientë, derisa në Klinikën e Pulmologjisë po trajtohen 37 pacientë me ‘CoViD – 19’. Sa i përket spitaleve të përgjithshme, nga ShSKUK bëjnë të ditur gjithashtu se numri më i madh i pacientëve ndodhet në Spitalin e Prizrenit – 124 gjithsej, pasuar nga Spitali i Pejës me 117 pacientë dhe Spitali i Gjilanit me 96 pacientë.
Bartja e maskës, higjienës personale dhe respektimi i distancës sociale janë masat e vetme parandaluese, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Andaj, duke respektuar këto masa, ju shpëtoni jetë dhe lehtësoni luftën e stafit mjekësor me virusin ‘CoViD-19’!