Ka një tre ditësh magjike që ndodhin prej 9 vitesh në Drimadhes. Ka një tregim që ende shkruhet, me sakrifica të vogla e të mëdha, individuale e kolektive për të qenë të gjithë bashkë aty. Ka një shtëpi në qiell të hapur që na mbledh për të na kujtuar se “Turtle Fest” është familja që kemi ndërtuar së bashku, plot kujtime e ndjesi të cilat fatmirësisht do të jetojnë përgjithmonë.
Më 30, 31 Korrik dhe 1 Gusht, Breshka na fton të mblidhemi përsëri së bashku për të festuar jetën, muzikën, të bukurën e për të krijuar emocione dhe kujtime të reja në natyrën e jashtëzakonshme të shtëpisë sonë të përvitshme, Drimadhesit.
Artisti më i shumëpritur i këtij edicioni është NU nga Berlini, kurse plazhi i Drimadhesit në Shqipëri, do të mirëpresë edhe performancat e mbi 40 artistëve, në 3 skena, për 3 ditë e 3 net plot ngjyra. Mes emrave të performuesve, “Turtle Fest” ka publikuar ardhjen e Nickodemus nga New York, një prej artistëve më në zë të muzikës Afro House, superstarin Italian, pastaj Gabriele Poso, Motel Sazani dhe Lakuru nga Zurichu, Bellville nga Burning Man, etj.
Në vazhdim, në rrjetet sociale, zbulojeni programin e plotë muzikor. Kurse biletat dhe transportin mund ta gjeni tek adresa: www.rave-travel.com