‘Vrapo Babadimër’ vjen edhe këtë vit si një prej aktiviteteve më të bukura të fund vitit, iniciativë kjo tradicionale që si synim ka ti dalë në ndihmë familjeve në nevojë, e gjithashtu përmes saj Kosova promovohet me aktivitete të bukura dhe humane.
Mini-maratona ‘Vrapo Babadimër’, organizohet nga OJQ ‘Projekti 5 Cent’, e drejtuar nga Jusuf Islami, i cili në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi më shumë rreth kësaj kauze humanitare: “Projekti 5 Cent, këtë vit ka vendosur ti dhurojë donacion 500 kostume , në 4 shkolla fillore në kryeqytet, me synimin që vitin e ardhshëm të përfshijmë edhe më shumë shkolla. Përndryshe shitja e kostumeve do të fillojë me datën 29 nëntor e deri më 12 dhjetor, kur edhe pritet të mbahet mini-maratona Vrapo Babadimër. Përmes këtij aktiviteti, ne mëtojmë që të sensibilizojmë qytetarët që të ndihmojnë dhe njëkohësisht t’i bashkëngjiten vrapimit, sport ky i cili edhe është i mirë për shëndetin. Ky aktivitet organizohet në më shume se 60 vende të botës, e ndër to është edhe Kosova.”
Sipas organizatorit z. Islami, ata janë në kontakt edhe me organizata të tjera në Kosovë, të cilat tha se së shpejti pritet që t’i bashkohen kësaj kauze bamirësie dhe gjithashtu shtoi: “Mini-Maratona do të organizohet me datën 12.12.2021 dhe ftoj të gjithë të interesuarit që edhe të argëtohen me ne me muzikë, meqë në atë kohë do të hapen edhe shtëpizat “Verë n’dimër”, të cilat i sjellin ngrohtësi qytetit të Prishtinës si dhe falënderoj mediat dhe të gjithë përkrahësit e kësaj kampanje.”
Slogani i kësaj iniciativë humanitare këtë vit është ‘Bëhu babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje!’ dhe përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës.