Është hapur konkursi për çmimin “Artistët e së nesërmes 2018”, nga ‘Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor’, në Prishtinë. Për të aplikuar për këtë çmim, artistët duhet që të jenë vendor, të moshave deri në 35 vjeç, të punojnë në fushën e artit bashkohor në pikturë, grafikë, instalacion, media të reja dhe forma tjera të artit bashkëkohor.
Bashkë themeluesi i Qendrës për Art Bashkëkohor, Albert Heta, për Radio KFOR-in tregoi për këtë çmim dhe kriteret që duhet plotësuar për aplikim:
“Çmimi ‘Artistët e së Nesërmes’, është çmimi më prestigjioz për artistët bashkëkohor për të rinjt që jepet në Kosovë. Përzgjedhja e fituesve bëhet nga një juria ndërkombëtare. Ai/ajo që konkurrojnë duhet të jenë deri në 35 vjet, duhet të kenë 3 deri në 5 vepra artistike të krijuara në 4 vitet e fundit dhe duhet të kenë një projekt-propozim për ekspozitën e finalistëve. Do të jenë 3 finalistë dhe fituesi do të përfitoj qëndrim 2 mujor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një program residencial për artiste, në një institucion të artit në New York”, u shpreh Heta.
Çmimi ‘Artistët e së Nesërmes’, për herë të parë është organizuar në vitin 2002 në bashkëpunim me ‘Residency Unlimited’ (RU) në New York. Afati i fundit për aplikim është data 10 shtator 2018, ndërsa rezultatet do të shpallen më së voni deri më 20 shtator.
Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së Nesërmës” 2018 janë: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë.