“Radio më jep lirinë e mendimit dhe kur jam live në radio, me duket sikur jam në një varkë me vela të bardhë dhe po lundroj në det të hapur, duke e shijuar tërë kaltërsinë rreth meje dhe kohë pas kohe vjen ndonjë dallgë që të tundon për aventurën apo për një ishull që të pret përpara dhe çdo ditë është një aventure e re. E përjetoj çdo minutë të transmetimit” – kështu e përkufizon rrugëtimin e saj tash e dy dekada si gazetare dhe prezantuese, Behare Bajraktari, nga RTK Radio 1.
Një rrugëtim i mbushur me sfida, kënaqësi, të qeshura e momente të vështira, por të dashura në çdo moment të punës së saj.
Në ditën botërore të Radios, që shënohet në gjithë botën sot, me 13 shkurt, gazetarja dhe prezantuesja Behare Bajraktari, ndau me dëgjuesit e Radio KFOR-it, pjesë të punës së saj që e bën me përkushtim dhe me shumë dashuri: “Vazhdoj të flas, të shkruaj dhe ta paraqesë gjendjen ashtu si është duke besuar thellë që liria e shprehjes është themeli i zhvillimit të shoqërisë.”
Gazetarët dhe moderatorët janë ura lidhëse e shoqërisë me të vërtetën dhe informacionin, prandaj ta mbrojmë, promovojmë dhe ta respektojmë këtë profesion.