Në kuadër të projektit “Pikëpamja”, Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” ka paralajmëruar se të premten (11 tetor), duke filluar nga ora 14:00 do të organizojë bashkëbisedim me udhëheqësin e Qendrës Rinore “Diakonie” në Mitrovicë, Miradin Bajrin.
Menaxherja e Komunikimit në këtë Fondacion, Sihana Klisurica për Radio KFOR-in ka thënë se Bajri do të ndajë përvojën e tij, në lidhje me drejtimin e kësaj qendre, e cila është inauguruar më 19 shtator të vitit 2013.
Po ashtu, sipas Klisuricës, Bajri do të tregojë më shumë për mënyrën se si funksionon qendra, e cila ka për qëllim të përmirësojë komunikimin dhe ko-ekzistencën e etnive të ndryshme dhe të mundësojë hapin e parë drejt njohjes dhe pranimit mes tyre.
“Një nga programet e Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” është edhe qytetaria aktive, e cila në vetë ngërthen edhe angazhimin për komunitet. Për ne është e rëndësishme që si Fondacion të krijojmë hapësirë ku të gjithë, pavarësisht etnisë apo llojit të shoqërisë që i takojnë, të ndihen rehat. Ky event me këtë qendër vjen si rezultat i bashkëpunimit që kemi pasur në të kaluarën. Andaj, do të flasim për mënyrën se si funksion Qendra Diakonie që ka qëllim të përmirësojë jetën e komunitetit, të përmirësojë komunikimin mes tyre dhe të krijojë hapësirë të përbashkët për të gjitha komunitetet”, tha Klisurica për Radio KFOR-in.
Klisurica tutje ka thënë se ky bashkëbisedim me Miradin Bajrin do të shënojë fundin e ciklit të bisedave me të ftuar të fushave të ndryshme, të cilët përveç që kanë treguar më shumë për punën e tyre, kanë ndarë histori inspiruese që të bëjnë të mendosh për veprimet që secili nga ne mund t’i ndërmarrë për të sjellur ndryshime pozitive në komunitet.