Qendra të ndryshme e vullnetarë të shumtë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, janë bërë bashkë për t’iu dalë në ndihmë punonjësve shëndetësor në luftën kundër koronavirusit.
Kësaj lufte kundër kësaj pandemie, së fundmi i është bashkuar edhe Qendra e Mitrovicës për Inovacion, e cila ka filluar me prodhimin e maskave plastike të tejdukshme, me anë të printerëve tre dimensional 3D, për t’ua dhuruar ato punonjësve shëndetësor.
Asistenti i Projektit në Qendrën për Inovacion në Mitrovicë, e cila operon në kuadër të Iniciativës Lokale “LINK”, Z. Milan Dobric, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se deri më tani kanë dhuruar më shumë se 100 maska: “Iniciativa lokale ‘LINK’, ka dhuruar më shumë se 100 maska mbrojtëse për mjekët dhe stafin mjekësor në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut, në Zveçan dhe Zubin Potok, gjatë javës së kaluar. Qëllimi i prodhimit të këtyre maskave është mbrojtja nga çfarëdo rreziku potencial të infektimit me Covid-19”, tha ai.
Maska plastike të tejdukshme ka prodhuar edhe Qendra e Graçanicës për Inovacion, ndërsa anëtari i kësaj Qendre, Z. Milan Stojanovic, në një prononcim për Radio KFOR-in, ka njoftuar se deri më tani kanë shpërndarë mbi 200 maska të tilla: “Shumica nga këto maska janë dhuruar në Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë, mirëpo edhe në Shterpcë dhe në Shillovë si dhe nëpër barnatore e markete lokale. Disa nga organizatat që na ndihmuan me materialet e nevojshme për prodhimin e këtyre maskave janë: Formon, Bonevet, NDI, CEC and CPT. Aktualisht janë gjashtë anëtarë të Qendrës që po punojnë në dizajnimin e këtyre maskave, por çdo vullnetarë i interesuar është i mirëpritur”, shtoi Z. Stojanovic.
Maska të tilla për t’iu dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësor kanë prodhuar edhe tri Kënde Amerikane në Kosovë, ka njoftuar Ambasada Amerikane në Kosovë.