Banff Kosovo, synon të promovojë kulturën dhe sportet malore në Kosovë përmes filmit dhe aktiviteteve shtesë, por gjithashtu të ndikojë pozitivisht në vetëdijesim rreth mjedisit, natyrës dhe aktiviteteve në natyrë. Ky Festival dy ditor, do të shfaqë 16 filma, sot më 7 dhe nesër me 8 Tetor 2020, në Kino Armata, në Prishtinë. Filmat përfaqësojnë një sërë stilesh dhe temash, duke përfshirë ngjitje malore, skijim, kërcim BASE, snowboard, çiklizëm malorë, kajak, aventurë, kulturë dhe mjedis.
Rreth organizimit të ‘Banff Center Film Festival’, për Radio KFOR-in tregoi përfaqësuesja e këtij Festivali, Aurora Hyseni, e cila ndër të tjera tha: “Festivali Banff Center Film Festival është festival ndërkombëtar kanadez i filmit dhe prezantim vjetor i filmave të shkurtër dhe dokumentarëve rreth kulturës malore, sporteve dhe mjedisit. Festivali është mbajtur për herë të parë në vitin 1976 dhe mbahet çdo vit në Banff, Alberta, të Kanadasë. Këtë vit, për herë të parë, kemi nderin të organizojmë festivalin e parë të Banff Mountain Film Festival World Tour edhe në Kosovë.”
Për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, ‘Banff Center Mountain Film Festival’, ka licencuar ‘Banff Mountain Film Festival Kosovo (Banff Kosovo)’, për të organizuar çdo vit, këtë turne ndërkombëtarë edhe në Kosovë. Biletat janë të limituara dhe shiten vetëm në këto lokale (në Prishtinë): HANNAH në Park, MIQT Pub dhe në SOMA.