Me datat 3 dhe 4 shtator 2020, përmes një edicioni online, do të mbahet gara “Balkan Green Ideas Regional Competition 2020” (Gara Rajonale Ballkanike e Ideve të Gjelbra 2020). Si pjesë e këtij konkursi, 21 ide biznesi nga Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja Hercegovina dhe Greqia, do të konkurrojnë për të përfituar një fond shtesë nëse shpallen fitues në nivel rajoni.
Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ndërkombëtare, profesionistë të fushës së ekonomisë, drejtësisë, mjedisit dhe biznesit. Pesë propozime biznesi do të përzgjidhen fituese nga një juri e pavarur ekspertësh, tre në LOT 1 dhe dy në LOT 2.
Dy fitues të Idesë së Biznesit në Fazë Konceptuale (LOT 1) do të fitojnë nga 5000 $, kurse tre fitues nga Biznesi në Fazat e Para të Zhvillimit (LOT 2), do të fitojnë nga 10.000 $. Gara “Balkan Green Ideas Regional Competition 2020”, organizohet nga “Balkan Green Ideas”, “Partners Albania for Change and Development”, “Green Ideas Greece”, “Fondacioni Mozaik”, “Fondi për Qytetariët Aktiv”, “ARNO” dhe “Balkan Green Foundation”, duke mbështetur nismat e bizneseve të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit si dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë.