Bajram Kinolli, i njohur me nofkën Kafu, ishte i ftuar në emisionin e pasdites “Macchiato Lounge”, në Radio KFOR, me moderatoren Pranvera Behrami. Kafu është vokalist i grupit muzikor “Gipsy Groove”, të cilët performojnë muzikën origjinale rome.
Gjatë bisedës në studio, duke u shoqëruar edhe me muzikën e mrekullueshme të grupit në fjalë, Kafu tregoi edhe se si i lindi ideja që të mirret me muzikë.
Edhe pse profesioni i tij është ekonomia, ai merret me muzikë, sepse vjen nga një familje muzikantësh, nga një gjysh violinist dhe nga një dajë muzicient.
Pas shumë bisedash e mendimesh për muzikën në Kosovë, Kafu theksoi: “Nuk duhet të gjykohet muzika në baza etnike dhe në bazë të zhanreve, sepse e rëndësishme është që muzika të ketë një tekst dhe një mesazh të mirë.”
Në fund të programit, Kafu foli edhe për projektin e radhës, për të cilin nuk dha aq shumë informata, sepse siç tha ai, gjatë javës në vazhdim do të dalin me informata më të hollësishme. Ai theksoi se bëhet fjalë për projektin “OneBeat Balkans”, i cili do të mbahet në Kosovë për dy javë me radhë, e i cili do të mbledh muzicient të njohur nga e gjithë bota, përmes një turneu 10 ditësh, me të vetmin synim, që përmes kësaj ngjarjeje të përçohet porosia se, muzika është gjuha që i bashkon të gjithë.