Stefani Joanne Angelina Germanotta këngëtarja dhe aktorja karizmatike, e njohur me emrin artistik Lady Gaga, është artistja e ditës së sotme në rubrikën ‘Artist Of the Day’. E njohur për kostumet e saj shumë ngjyrëshe, tekstet e guximshme dhe vokalin mahnitës, artistja ka lindur me 28 mars, të vitit 1986, në New York. Ajo ishte vetëm 4 vjeçare kur filloi të luajë në piano duke treguar interesim të madh për botën artistike, duke marrë pjesë në shfaqje të ndryshme teatrale dhe konkurse muzikore. Në vitin 2007 ajo nisi rrugëtimin e saj në botën muzikore, duke u punësuar si kantautore nga shtëpia disko grafike ‘Streamline Records’, për të shkruar tekste për këngëtarët si Britney Spears, New Kids on the Block, Fergie dhe The Pussycat Dolls. Këngëtari dhe producenti Akon, insistoi që ajo të fillojë të këndoj, duke dëgjuar vokalin mahnitës të këngëtares dhe i ofroi një kontratë në muzikë.
Këngëtarja pa dyshim që solli revolucion në zhanrin pop/dance/electronic, kur publikoi albumin e saj debutues ‘The Fame’, në vitin 2008, duke prekur majat e top listave në gjithë botën me këngët e këtij albumi ‘Poker Face’ dhe ‘Just Dance’. Në vitin 2010 ajo arriti të fitojë çmimin prestigjioz ‘Grammy’, për albumin e saj të parë, duke u nderuar me çmimin albumi më i mirë dance/electronic. Ky ishte shpërthimi i saj në muzikë, ku me këngën ‘Poker Face’, Gaga arriti një rekord të ri që nuk e kishte arritur ndonjë këngëtarë më parë, duke qëndruar për 150 javë në top listën e këngëve më të mira në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte 11.1 milion shkarkime të këngës së saj në platformat digjitale të muzikës, duke hyrë në Librin e Rekordeve Botërore ‘Guinness’.
Në vitin 2009 ajo publikoi singlin e saj ‘Bad Romance’, që arriti në top listat botërore, derisa ajo fitoi 8 çmime në ‘MTV Video Music Awards’, në vitin 2010, pikërisht për këtë këngë. Kur ajo pranoi çmimin ishte e veshur me një fustan të bërë krejtësisht nga mishi, si protestë për të drejtat e njeriut dhe zgjedhjeve të lira që duhet të bëjnë njerëzit në jetë.
Gaga, pa dyshim që është një nga artistet më unike në botë. Revista ‘Forbes’, e cilësoi këngëtaren si një nga gratë më të fuqishme në botë, nga viti 2010 deri në vitin 2014. Ndërsa revista ‘Time’, në vitin 2010, e shpalli atë si një nga personat më me influencë në botë.
Gaga njihet për personalitetin e saj të guximshëm në muzikë dhe në paraqitjet e saj. Ajo ka fuqizuar komunitete dhe mijëra persona në gjithë botën nëpërmes muzikës së saj, që njerëzit të besojnë ne vete, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të jenë vetvetja. Ajo në vitin 2011, lansoi albumin ‘Born this way’, si një përkrahje për komunitetin LGBTI, duke e kthyer këngën me të njëjtin emër në një himn të këtij komuniteti në gjithë botën. Në vitin 2013, Gaga lansoi edhe albumin ‘Artpop’, që u diskutua shumë për paraqitjen e saj në video spotet e këtij albumi. Në vitin 2016 ajo lansoi edhe një album të suksesshëm të titulluar ‘Joane’, që po ashtu ishte një sukses ndërkombëtar. Gaga arriti sukses të madh edhe në paraqitjen e saj si aktore në filmin e zhanrit dramë musical ‘A star is born’, si protagoniste e këtij filmi bashkë me aktorin Bradley Cooper.
Në ditën e Shën Valentinit, të vitit 2015, Lady Gaga u fejua me aktorin Taylor Kinney. Pas pesë vitesh së bashku, në korrik të vitit 2016, u raportua se çifti u ndanë. Më pas Gaga u fejua me agjentin e saj muzikor, Christian Carino, në verën e vitit 2017 por edhe kjo lidhje përfundoi në shkurt të vitit 2019.
Gaga ka një suprizë për të gjithë, ajo shumë shpejtë ka lajmëruar se me 29 maj të këtij viti do të publikojë albumin e saj më të ri të titulluar ‘Chromatica’.