Stevland Hardaway Morris, ndryshe i njohur me emrin skenik ‘Stevie Wonder’, është protagonisti kryesor i ditës së sotme, ku sot do të shkëpusim momente të karrierës së tij madhështore në muzikë. Një figurë e shquar në muzikën pop, soul, jazz dhe funk ai është një nga kantautorët dhe muzikantët më të suksesshëm në historinë e muzikës. Wonder u bë një ikonë me ndikim të madh te muzikantët e zhanreve të ndryshme, përfshirë pop, blues, soul, funk dhe rock.
I verbër që nga lindja, Stevie Wonder, i dëshmoi botës se talenti dhe përkushtimi do të sjellin sukses. Ai si fëmijë ishte i njohur si Little Wonder, i cili deri në këtë ditë është artisti më i ri në botë që ka arritur të jetë në krye të top listave amerikane. Ai kur kishte vetëm 13 vjet, publikoi singlin e parë të titulluar “Fingertips”.
Suksesi maskimal i Wonder-it ishte në vitin 1970, kur ai publikoi albumin ‘Music in my mind’ dhe albumin tjetër ‘Talking Book, duke sjellur super hitin e tij “Superstition” dhe ‘You are the sunshine of my life’. Me këto këngë Wonder, fitoi 3 çmime Grammy.
Steve Wonder njihet me një stil të veçantë të këndimit sepse ai është një nga artistët e paktë në botë që kompozon muzikën e tij që e kanë bazën melodike në tastet e zeza të pianos e kjo për shkak se Wonder, mësoi të luaj vet piano dhe përmes këtyre tasteve e kishte më të lehtë ta bëjë këtë.
Në Shtator të vitit 1970, në moshën 20 vjeçare, Steve Wonder u martua me kantautorën, Syreeta Wright. Bashkarisht ata punuan në albumin e radhës ‘Where Im Coming From’, që u publikua në vitin 1971. Albumi nuk pati suksesin e pritur por pas 2 vitesh, Wonder publikoi albumin tjetër të titulluar ‘Innervisions’, nga i cili dolën hitet “Higher Ground” dhe “Living for the City”. Edhe me këtë album këngëtari rrëmbeu 3 çmime Grammy, që përfshinte edhe ‘Albumin e vitit’.
Përveç se i verbër nga lindja, në gusht të vitit 1973, Wonder, pësoi edhe në një aksident të rëndë automobilistik, ndërsa ishte në turne në Karolinën e Veriut, kur një makinë në të cilën po hipte goditi pjesën e pasme të një kamioni. Kjo e la atë në gjendje kome për katër ditë dhe rezultoi edhe me një humbje të pjesshme të ndjenjës së tij të nuhatjes dhe ndjenjës së shijes. Mirëpo, kjo nuk e ndaloi suksesin si këngëtarë, suksesi i Wonder, ishte aq i madh, saqë edhe kolegët e tij këngëtaret ndjenin konkurrencën e tij në muzikë.
Në vitin 2009, këngëtari në fjalë është nderuar nga Presidenti Amerikan, Barack Obama, me çmimin ‘Gershwin’, një çmim që nderon karrierën dhe arritjet jetësore në SHBA.
Ai ka shitur mbi 100 milion albume në të gjithë botën, duke e bërë atë një nga artistët më të shitur të muzikës, të të gjitha kohërave. Ai ka fituar 25 çmime Grammy, duke e bërë atë një nga artistët më të vlerësuar njëkohësisht.
Wonder, shquhet gjithashtu për punën e tij edhe si aktivist për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2009, ai u emërua i dërguari special për Paqe, në Kombet e Bashkuara.