Artistë dhe personalitete të ndryshme të njohur, i janë bashkuar fushatës ‘#rriNshpi’, mirëpo kësaj radhe përmes Radio KFOR-it, kanë bërë thirrje tek të gjithë qytetarët dhe tek të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë maksimalisht të gjitha rekomandimet e organizatave shëndetësore, në lidhje me pandeminë ‘Covid – 19’.
Ndër emrat e të famshmëve që i janë bashkuar kësaj thirrje përmes Radio KFOR-it, janë edhe artistët Shëngyl Ismaili, Shpat Deda, Marsela Çibukaj dhe Miranda Hashani, të cilët ndër të tjerash, kanë dhënë edhe këshilla apo shembuj se çfarë mund të bëni në shtëpi në këtë kohë pandemie:
– Shëngyl Ismaili: Përshëndetje, unë jam Shëngyl Ismaili dhe këtë video po e bëjë që t’ju lusë të gjithëve që të qëndroni në shtëpi. Kini durim vetëm edhe pak. E di që momentalisht po jetojmë në një kohë mjaft të vështirë, në këtë kohë pandemie, kur durimi duket se ka filluar të na humbasë. Por, vetëm edhe pak të kemi durim. Argëtoni vetën, gjeni diçka që iu bën të lumtur brenda këtyre katër mureve, lexoni, shikoni filma, këndoni, luani, vallëzoni, bëni çkado që iu bën juve të lumtur, por vetëm qëndroni në shtëpi. Duke qëndruar në shtëpi, ne kujdesemi për vetën, kujdesemi edhe për më të afërmit tonë që i duam shumë. Ju përshëndes dhe rrini në shtëpi.
– Shpat Deda: Përshëndetje, unë jam Shpat Deda dhe ju po dëgjoni Radio KFOR-in. Rrini në shtëpi, mbani distancën dhe respektoni të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike si dhe organeve kompetente.
– Marsela Çibukaj: Përshëndetje të gjithë dëgjuesve të Radio KFOR-it nga unë Marsela Çibukaj dhe Ditmar Basha. Ne tashmë kemi më shumë se 40 ditë që jemi mbyllur në shtëpi, duke respektuar maksimalisht të gjitha rregullat që na janë dhënë me shpresën më të madhe që kjo periudhë e keqe të kaloj sa më shpejt për të gjithë dhe të ritakohemi me muzikë dhe përqafime. Një puthje të madhe nga ne te dy.
– Miranda Hashani: Të dashur dëgjues të Radio KFOR-it. Nëse një ditë dikush do të na thoshte se do të mbyllemi në shtëpi për ditë të tëra dhe nuk do të dilnim jashtë, nuk do ta besonim. Por ja, ky është realiteti. Të durojmë vetëm edhe pak, sepse kësaj pandemie, sigurisht që një ditë do t’i vie fundi. Uroj që të gjithë të mbeteni me shëndet dhe ju lutem, qëndroni edhe pak në shtëpi, sepse me këtë, e para: i ndihmojmë vetës dhe pastaj ndihmojmë rrethin. Shëndet për të gjithë.