Ambasada e Francës në Kosovë ka njoftuar se aktorja kosovare me famë botërore, Arta Dobroshi do të dekorohet me Urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave” nga Ambasadorja e Francës në Kosovë, Znj. Marie Chirstine Butel. Ceremonia e ndarjes së dekoratës në fjalë, do të mbahet nesër, më 26 shkurt, nga ora 18:00 në rezidencën e Francës.
Jashtëzakonisht e nderuar me këtë dekorim po ndihet aktorja Dobroshi, e cila ekskluzivisht për Radio KFOR-in tha: “Po ndihem shumë e nderuar nga shteti i Francës me këtë dekorim të Medales “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”. Jam shumë falendëruese. Është ndjenjë shumë e bukur kur puna jote, kontributi yt në art, qenia jote çmohet. Jam shumë me fat. Kam shumë fat që kam lind në një vend si Kosova, një vend me shpirt shumë të madh, vend që më ka mësuar me ëndërru ëndërra të mëdha. Gjithmonë e përmendi nëpër botë se qysh si popull për një kohë shumë të gjatë e kemi ëndërruar lirinë, e kemi dëshiruar lirinë dhe sot jetojmë në liri. Është magjike. Po shpresoj që njerëzit në Kosovë e dinë magjinë e vetë dhe e vlerësojnë vetën.”
Përmes kësaj dekorate, Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të aktores Dobroshi, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë. Kjo dekoratë është njëra nga dekoratat më të larta që e ndan Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë, për shtrirjen dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.