Nga data 28 shtator deri më 30 shtator 2020, do të mbahet edicioni i parë i Festivalit më të ri të filmit në Kosovë “Art Without Limit”, i vetmi në Ballkan ku të gjithë 40 filmat të cilët janë në program për t’u shfaqur, kanë si temë personat me aftësi të kufizuara.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, Sara Rrahmani, nga Departamenti i Mediave në OJQ-në “Art Without Limit”, bëri të ditur se ideatore e këtij Festivali është drejtoresha e kësaj organizate, Znj. Ganimete Sava, me disa bashkëpunëtore dhe shtoi: “Me këtë Festival Filmi, duam që t’i përçojmë idetë dhe mesazhet e personave me aftësi të kufizuara drejt institucioneve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Njëherit është edhe një vepër e çmuar dhe e madhe vetëdijesuese në aspektin shoqëror që i bëhet pjesës së shoqërisë së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Filmat që vijnë nga shumë vende të botës, prekin dhe trajtojnë çështje e problematika të ndryshme nga jeta e përditshme dhe reale e personave me aftësi të kufizuara, me të cilat kufizime (çështje, problematika) kjo pjesë e shoqërisë është mësuar të ballafaqohet çdo ditë të jetës së tyre.”
Drejtor artistik i këtij Festivali është regjisori, Burim Haliti, ndërsa drejtor i programit është Michael Stoeger. Mbështetjen më të madhe për Festivalin e ka dhënë producenti i njohur austriak, Veit Heiduschka, i cili do të jetë president i jurisë profesionale i festivalit, e cila do të ndajë tetë çmime. Ndryshe, Festivali ishte paraparë të mbahet në ‘Kino Armata’ në Prishtinë, por për shkak të pandemisë ‘CoViD-19’, këtë vit, ky edicion do të mbahet online. Zonja Sara Rrahmani, për Radio KFOR-in po ashtu thotë se filmat janë për të gjitha moshat dhe mund t’i shoh secili nga shtëpitë e tyre në platformën zyrtare të Festivalit ‘www.artwithoutlimit-filmfestival.com’, gjithashtu edhe në rrjetet sociale zyrtare të festivalit.