Emisioni i sotëm “Macchiato Lounge”, në Radio KFOR, ishte i përbërë nga tingujt të kitarës, muzikës dhe nga një intervistë e këndshme që moderatorja Merita Gjoni zhvilloi me artistin, Ardian Gashi.
Gjatë intervistës u diskutuan çështje të ndryshme, përfshirë muzikën, pjesëmarrjen e Ardianit në ‘The Voice Albania 6’, atje ku vokali i tij u vlerësua shumë nga juria përkatëse profesionale dhe u pëlqye nga audienca e gjerë, etj. “Muzika nuk ka një definicion të caktuar, ngase secili nga ne muzikën e percepton, e ndjenë dhe e manifeston në mënyra të ndryshme, muzika është vet jeta”, tha mes tjerash Ardiani. I përcjellur me kitarë nga mysafiri tjetër në studion e Radio KFOR-it, Ideal Çoçaj, Ardiani këndoi Live disa këngë për dëgjuesit e Radio KFOR-it. Mirëpo, Ardiani zgjodhi pikërisht valët e Radio KFOR-it që të publikoj për herë të parë edhe premierën e realizuar me këngëtaren Nida Shufta, coverin e këngës së famshme ‘Shallow’, të interpretuar nga Lady Gaga dhe Bradley Cooper, e cila u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga dëgjuesit, të cilët dërguan lëvdata të panumërta në adresën e Radio KFOR-it për realizimin e kësaj kënge, të cilën tani e tutje mund ta dëgjoni në këtë radio stacion.