Nesër, 20 shkurt, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet mbledhje informuese dhe promovuese për aplikim në festivalin më të madh botëror të aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë “TeknoFest 2020”, i cili këtë vit do të mbahet në Gaziantep të Turqisë.
Kjo mbledhje informuese do të organizohet nga Instituti “Junus Emre”, i cili vepron në kuadër të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, ndërsa Festivali organizohet nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, në bashkëpunim me Fondacionin “Teknofest”. Radio KFOR-i ka kontaktuar sekretaren e Institutit “Junus Emre” në Prishtinë, Znj. Filiz Pasoma Muzaqi, e cila ka treguar se çfarë do të përmbajë mbledhja informuese e ditës së nesërme si dhe kush mund të aplikojë në këtë Festival: “Është viti i tretë që po organizohet Festivali “TeknoFest”. Kësaj radhe në Festival i kanë dhënë hapësirë të pjesëmarrjes shteteve të Ballkanit. Janë gjithsej 23 kategori të ndryshme, përfshirë inovacionin bioteknologjik, teknologji arsimore, dizajnimin e helikopterëve, dizajnimin e motorëve, teknologji bujqësore, teknologji të mjedisit, të energjisë, e çdo kategori që iu bie ndërmend për teknologji. Në këtë Festival nuk kanë limitime në grupmosha. Festivali është i hapur qysh prej kategorive të shkollave fillore e deri te shkalla më e lartë e udhëheqësisë, varësisht se në cilën kategori e gjejnë vetën. Ata që do të përzgjidhen do të fitojnë një kosto prej 3 milionë lira turke që diku i bie afër gjysmë milioni euro. Aplikimet bëhen online dhe data e fundit e aplikimit është 28 shkurt. Festivali mbahet nga datat 22 deri më 27 shtator të këtij viti. Nga Ballkani përfshihen Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, të gjitha do të jenë në bashkëpunim me Institutin “Junus Emre”. Ky Festival është i hapur për të gjithë shoqëritë e Kosovës, vetëm duhet ta gjejnë vetën në ndonjërën nga 23 kategoritë e këtij Festivali. Çdo njëri që ka afinitet, ide apo projekt me këta tituj të kategorive të garës, mund të garojë pa dallim race, feje apo moshe, vetëm duhet shikuar kategorinë e shkollimit gjatë aplikimit.”
Tutje, sekretarja Pasoma Muzaqi, bëri të ditur se vitin e kaluar në këtë Festival kanë qenë 19 kategori, në të cilat janë regjistruar 50 mijë konkurrentë, të ndarë në 17.373 ekipe, të cilat kanë përfaqësuar 122 vende të ndryshme të botës.