Pandemia prodhoi atë që u konsiderua si ‘aplikacioni i mijëvjeçarit’. Është fjala për aplikacionin TikTok që u bë ‘ngushëllimi’ i miliona të rinjve dhe jo vetëm, gjatë masave të rrepta të izolimit që kishin për qëllim parandalimin e përhapjes së CoViD-19. Duke parë që tashmë kanë kaluar disa muaj që TikTok është kthyer në kryefjalë, se cilat janë ndikimet psikologjike tek adoleshentët? – Radio KFOR-i ka intervistuar psikologen e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi: “Duke u nisur nga fakti që TikTok është një nga platformat më të pëlqyera dhe atraktive kohën e fundit , kjo patjetër ka involvuar edhe adoleshentët të jenë pjesë e saj. Varësisht nga personaliteti dhe edukimi i tyre, disa adoleshentë kanë shfrytëzuar benifitet e TikTok, duke shprehur kështu kreativitetin përmes videove dhe duke ndarë me rrethin e tyre idetë e tyre, duke qenë më afër shoqërisë me nacionalitete të ndryshme, ndërsa të tjerë mund të kenë pësuar nga koha shumë e madhe që kalojnë aty, duke u bërë pre kështu e krahasimeve me të tjerët dhe filtrave të shumtë që ofron TikTok, gjë që mund të ndikojë në vetëbesimin dhe të rrisë ankthin duke pretenduar të jenë dikush që nuk janë.”
Nëse jo me ndikimin psikologjik, TikTok premton se do të merret shumë më shumë me privatësinë e adoleshentëve. Kjo pasi aplikacioni sipas rregullave te reja që miratoi këtë javë, përdoruesit e moshës nga 13 deri në 15 vjeç do të kenë llogari private. Kjo do të thotë se vetëm dikush që përdoruesi e pranon si ndjekës mund të shikojë videot e tyre. Ndërkohë është ndaluar edhe shkarkimi i videove të fëmijëve dhe të rinjve nën moshat 16 vjeç.