Super ylli i talent spektaklit TV ‘The Voice of Albania’, Albina Kelmendi, e cila ishte pjesë e këtij formati e që u radhit e dyta në vitin 2014, ishte e ftuar sot (08.02.19) për një intervistë në Radio KFOR, te gazetarja Pranvera Behrami, ku shpalosi detaje rreth karrierës së saj muzikore.
Albina tregoi për eksperiencën e saj unike në ‘The Voice of Albania’, ku sipas saj aty ju ofruan mundësi të shumta dhe ky fakt e ka ndihmuar atë që ta shpreh vetën në shumë zhanre muzikore, duke e kthyer këtë spektakel në një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Ajo tregoi se është rritur në një familje artistësh nga prindër muzicientë dhe si e vogël fillimisht ka luajtur në piano dhe klarinet për të vazhduar si solo këngëtare.
Albina po ashtu diskutoi për përkrahjen e familjes së saj në rrugëtimin e saj muzikor duke shtuar:
“Familja më ka përkrahur por edhe është kritike ndaj meje në muzikë, sidomos babai i cili vazhdimisht kërkon më të mirën nga unë, por sigurisht këto më ndihmojnë të kem sukses”. tregoi Albina.
Albina ka vazhduar karrierën e saj muzikore duke u paraqitur në festivalin ‘Top Fest 12’, duke arritur në finale me këngën e saj ‘Nuk ka ma mirë’ dhe në vitin 2017 në festivalin ‘Kënga Magjike’.
Këngëtarja Kelemendi, e cila gëzon një vokal të vlerësuar lartë nga kritikët muzikor po ashtu falenderoi Radio KFOR-in për pritjen dhe tregoi ekskluzivisht se në muajin shkurt të këtij viti do të lansojë këngën e saj më të re e cila do të jetë një baladë.