Një aktore e re nga Kosova, Furtuna Aliu, ka filluar hapat e parë drejtë kinematografisë botërore. Ajo aktualisht po vazhdon studimet në aktrim në akademinë prestigjioze të aktrimit ‘Stella Adler Academy’, në Los Angeles. Furtuna aktualisht është duke punuar me aktorin Eric Roberts, i cili po ashtu është vëllau i aktorës së njohur Julia Roberts dhe drejtohet nga regjisori nga Kosova Blerim Gjoci.
Në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in Furtuna tregoi për projektin e saj të fundit:
“Për momentin jam duke studiuar në Amerikë, kam leje të punoj në filma të shkurtër të studentëve, mirëpo edhe si vullnetare në filma të tjerë. Blerim Gjoci regjisor me prejardhje nga Kosova, që jeton dhe punon në Los Angeles më ka angazhuar me një rol në filmin e tij dhe kështu u takova edhe me Eric dhe Eliza Roberts. Kështu që e falenderoj Blerimin, për shkak se është fillimi i karrierës sime dhe më ka dhënë një mundësi me qenë para kamerës në skenë me Ericun”, ka treguar Furtuna.
Furtuna tregoi se projekti i ri nga Blerim Gjoci është duke u gjiruar dhe titullohet ‘The Fusion’.