Rëndësia e balancimit të disa faktorëve, siç janë aktiviteti fizik, ushqimi i shëndetshëm dhe mënjanimi i streseve, janë bazë e mirëqenies së përgjithshme për të gjithë ne. Rreth rëndësisë së kujdesit ndaj vetes si dhe shëndetit e mirëqenies së përgjithshme, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me nutricionistin dhe trajnerin e fitnesit, z. Besnik Humolli: “Një person për të qenë i shëndetshëm së pari duhet të ketë një ushqyeshmëri të rregullt, të pasur me vlera ushqyese me proteina, karbohidrate komplekse, yndyra bimore dhe më pak shtazore si dhe të konsumoj 2 deri në 4 litra ujë, gjatë ditës. Përveç ushqimit është i nevojshëm edhe aktiviteti fizik nga 45-60 minuta, së paku 3 herë në javë, sepse përmirësojmë qarkullimin e gjakut, forcojmë muskujt dhe kockat, rregullojmë metabolizmin dhe zvogëlojmë mundësitë e prekjes nga sëmundje të ndryshme. Po ashtu, për tu ndjerë mirë duhet të bëjmë gjumë të rehatshëm së paku 6 orë në ditë.”
Pra, të gjitha këto përfitime janë të lidhura ngushtë me aktivitetin fizik dhe ushqimin e shëndetshëm, që janë shtyllat kryesore të shëndetit dhe mirëqenies sonë në përgjithësi. Z. Besniku ftoi të gjithë të rinjtë që ushqimin dhe aktivitetin fizik, ti kenë pjesë të stilit të jetës së tyre, sepse kjo ndikon edhe në karakterin, personalitetin dhe në mirëqenien e tyre në përgjithësi.