Në ‘Ditën e Tokës’, klubi i vrapimit “Gërmia 555” që e shfrytëzojnë parkun e Gërmisë për të vrapuar, do të pastrojnë disa zona të mbuluara nga mbeturinat dhe deponitë ilegale në këtë park. Shumë aktivitete do të mbahen në Kosovë nesër (22.04.19), për nder të ‘Ditës Ndërkombëtare të Tokës’, por një grup vrapuesish të lirë kanë vendosur që të pastrojnë edhe hapësirën të cilën ata e shfrytëzojnë më së shumti, Parkun e Gërmisë dhe kanë arsye të fortë për këtë. Ata tregojnë se hedhja e mbeturinave është dukuri e përditshme edhe në parkun e Gërmisë edhe me gjithë punën e ndërmarrjes Holtikultura shumë vende të parkut janë të ndotura.
Kryetarja e klubit Gërmia 555, Nebahate Maqastena në një prononcim për Radio KFOR-in tha se rruga anësore për Kolovicë, shfrytëzohet si deponi për hedhjen e mbeturinave inerte dhe mbeturina tjera të shumta të hedhura nga vizitorët: “Ne jemi të interesuar që ta pastrojmë atë rrugë në mënyrë që ta krijojmë një mjedis të pastër për vizitorë dhe gjithashtu ta dërgojmë një mesazh te komuna dhe hortikultura që menaxhimi i Parkut duhet të jetë i plotë dhe duhet të përfshij të gjithë hapësirën”, shtoi Znj. Maqastena.
Klubi i vrapimit Gërmia555 ka 50 anëtarë të regjistruar dhe punojnë shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, lidhur me rëndësinë e një jete aktive dhe cilësore. Klubi ka marrë emrin nga fillimi i vrapuesve të hershëm të orës 5:55. ‘Dita Ndërkombëtare e Tokës’, është caktuar të shënohet më 22 prill nga ana e OKB-së dhe motoja për këtë vit është edukimi dhe ndryshimet klimatike.