Rubrika “Artist of the day” (Artist i ditës), sot është e rezervuar për fituesen e shumë çmimeve “Grammy”. Ylli Adele Laurie Blue Adkins, e cila ka lindur me 5 maj, të vitit 1988, në Londër të Anglisë, qysh e vogël shfaqi pasionin që ka për muzikën. Yjet si Lauryn Hill, Mary J. Blige dhe Destiny’s Child, janë inspirimi i parë i Adele, që kur të rritej do të rrëmbente vëmendjen e botës në vitin 2008, kur debutoi me albumin “19” i cili përmban këngët që i sollën famën e menjëhershme këngëtares siç janë :”Hometown Glory” dhe “Chasing Pavements”. Duke gëzuar famën që kishte rrëmbyer gjithandej botës, Adele, sjell albumin e shumëpritur “21” në vitin 2011, atëherë kur ajo ishte vetëm 21 vjeçare. Albumi është shitur me 352.000 kopje Brenda javës së parë. Me super hitet si “Rolling in the Deep” dhe “Someone Like You”, albumi bëri histori pasi këngëtarja e gjeti veten në top 5-shen e këngëve dhe në top 5-shen a albumeve më të mira në SHBA dhe në Britani Të Madhe, në të njëjtën javë, gjë që gjatë historisë muzikore ishte arritur vetëm nga grupi “Beatles” dhe këngëtari “50 Cent”. Në vitin 2015 Adele ishte 25 vjeçe kur lansoi albumin “25”, i cili rrëmbeu vendin e pare në ‘iTunes’, në 110 vende të botës. Albumi arriti shitje deri në 3.38 milion kopje brenda shtatë ditësh në Amerikë, duke mposhtur kështu grupin e famshëm ‘NSync’, që kishte arritur rekord historik, me 2.42 milion kopje të albumeve të shitura brenda një jave.
Në sirtarin e saj Adele, ka strehuar një sërë arritjesh. Këngëtarja dhe kantautorja për veçse ka shitur miliona albume në mbarë botën, ka fituar gjithsej 15 çmime “Grammy” dhe një çmim “Oscar”. Megjithëse ajo është artiste që karrierën e ka ngritur mbi punën, talentin, mundin dhe sukseset muzikore, jeta e saj private ashtu sikurse e të gjithë të famshmëve, ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore. Në vitin 2011 Adele, na prezantoi me partnerin e saj 13 vjet më të vjetër se ajo, Simon Konecki.
Sa i përket jetës së saj private, në qershor të vitit 2012, ajo njoftoi fansat që do të bëhej nënë dhe në tetor të të njëjtit vit, këngëtarja solli në jetë djalin të cilin e pagëzoi me emrin Angelo. Pasi mori epitetin nënë, në vitin 2012 ajo u rikthye në krye të top-listave më baladën “Hello”. Në muajin prill të vitit 2019, përfaqësuesit e këngëtares zbuluan se Adele dhe bashkëshorti i saj Konecki, ishin ndarë. Këngëtarja mungoi për disa kohë me shfaqje në publik, për t’i befasuar të gjithë në fundin e vitit 2019, teksa shfaqet me një trup të tonifikuar dhe me mbi 30 kilogramë më pak, falë një diete të shëndetshme dhe ushtrimeve në palestër.