Që nga shfaqja e pandemisë ‘COVID-19’, njerëzit janë të detyruar të mbajnë maska dhe aftësia për të marrë frymë normalisht është bërë një shqetësim i zakonshëm. Shumë njerëz kanë raportuar disa efekte anësore të pakëndshme të bartjes së maskës, të tilla si ankthi, dhimbje koke, konfuzion dhe lodhje. Por, cila është e vërteta rreth këtij shqetësimi, për Radio KFOR-in, tregon specialisti i pulmologjisë, Dr. Besim Morina: “Të gjitha rekomandimet të cilat janë dhënë nga institucionet relevante të shëndetësisë kanë treguar që te shumica dërmuese e njerëzve, ata të cilët nuk kanë probleme shëndetësore shtesë përdorimi i maskës nuk shkakton probleme. Kjo do të thotë se njerëzit që nuk kanë ndonjë sëmundje obstruktive të shkallës së rëndë, mbajtja e maskës nuk çrregullon funksionimin e mushkërive. Pra, te shumica dërmuese e njerëzve maska nuk shkakton problem. Problemet paraqiten vetëm tek një grup i vogël i njerëzve, të cilët paraprakisht kanë sëmundje pulmunale të theksuara, pra pacientët të cilët kanë sëmundje obstruktive të theksuara ose pacientë të cilët kanë pamjaftueshmëri respiratore apo insilucencë respiratore.”
Mënyra se si ne marrim frymë ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e mirë të trupit dhe të shëndetit në përgjithësi, por gjatë kësaj periudhe të pandemisë ne duhet të bartim maskë për të ruajtur vetën dhe të tjerët!