Edhe pse në shumë shtete tashmë jeta ka filluar ti kthehet normalitetit, pas masave kufizuese si pasojë e virusit ‘Covid-19’, duket që disa faktorë të jetës pandemike nuk do të zhduken kaq shpejt.
Shumë biznese tashmë janë hapur, përfshirë restorantet, dyqanet me pakicë e shumicë, sallonet e bukurisë, kopshtet e fëmijëve, por të gjithë janë të detyruar të operojnë duke respektuar masat e distancimit fizik dhe përdorimin e maskave.
Në lidhje me sjelljen tonë të mëtutjeshme, pas karantinimit, Radio KFOR-i realizoi një intervistë me infektologun në Qendrën Infektive të Kosovës, Dr. Shemsedin Dreshaj, i cili mes tjerash pohoi: “Pavarësisht masave lehtësuese, të gjithë duhet të vazhdojmë edhe më tutje të tregohemi të kujdesshëm, duke bartur maskat mbrojtëse, sidomos në ambiente të mbyllura, ku ka më shumë njerëz, duhet të mbajmë distancën prej 1-2 metër dhe duhet të vazhdojmë shprehinë e krijuar të pastrimit apo dezinfektimit të duarve”, nënvizoi Infektologu, Dreshaj.
Se a do të kemi valë të dytë të virusit, Dr Dreshaj, shpreson që një gjë e tillë nuk do të ndodh, por raste të të infektuarve, do të kemi kohë pas kohe, deri në zhdukjen e tërësishme të tij.